Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Adhuroje Zotin tënd deri në vdekje
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.
Vëllezër të dashur besimtar dhe motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Adhuroje Zotin tënd deri në vdekje.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, gjithçka që ekziston ka fillim dhe mbarim, përveç Allahut të Madhëruar, i cili është i pari pa fillim dhe i fundit pa mbarim. Ashtu është edhe fati i muajit të bekuar të Ramazanit, i cili e ka fillimin dhe mbarimin e tij.
Ne jemi në ditët e fundit të muajit të bekuar të Ramazanit, muajit në të cilin kishim ndryshime të theksuara në jetën tonë sa i përket edhe fesë, ku agjëruam, falëm më shumë namaz dhe dhamë më shumë sadaka (lëmoshë). Po ashtu edhe raportet tona me njerëzit ishin më të mira; silleshim më mirë dhe ishim edhe më të kujdesshëm me ta.
Këto ndryshime që pësuam në muajin e bekuar të Ramazan, Allahu i Madhëruar kërkon që t’i shtojmë në këtë dhjetë ditë të fundit të muajit të bekuar të Ramazanit, si dhe të qëndrojmë në këto ndryshime edhe pas muajit të bekuar të Ramazanit deri në vdekje.
Allahu i Madhëruar thotë:
وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّىٰ يَأْتِيَكَ الْيَقِينُ
"Dhe adhuro (e shërbeji) Zotit tënd, deri sa të arrijë e pashmangshmja e sigurtë (vdekja).” (Kuran 15, 99)
Pra, ajeti na bën thirrje direkte për adhurimin e Allahut të Madhëruar deri në vdekje.
Arsyet, argumentet dhe faktet për vazhdimin e adhurimit të Allahut të Madhëruar janë të shumta, ndërsa argumenti më i veçantë që na nxit për adhurimin e Allahut të Madhëruar deri në vdekje është vetë vdekja.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
أَنَّ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ: كَفَى بِالْمَوْتِ وَاعِظًا
"Vërtet Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: Mjafton vdekja si këshilluese." (Transmeton Taberaniu)
Pra, kur e sheh dhe e kujton njeriun nga ai me një fytyrë që shndriste, me një trup të gjallë dhe me një mendje që drejtonte, se si u transformua në një kufomë e cila do të varroset në tokë, i mençuri dhe i vendosuri i kujton këto çaste dhe nuk mashtrohet nga shëndeti dhe mirëqenia që gëzon, sepse vdekja vjen papritur. Pastaj pason jeta e përhershme, të cilën do ta jetojmë në bazë të veprave tona; nëse kemi bërë mirë do të jetë mirë, nëse kemi bërë keq do të jetë keq.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, nuk ka momente e çaste më të mira se muaji i bekuar i Ramazanit, për arsye të begative dhe veçorive të tij ku mundemi të kthehemi te Allahu i Madhëruar sinqerisht dhe të vazhdojmë edhe pas muajit të bekuar të Ramazanit me ndryshimet që i pësuam, sidomos në shtimin e namazit dhe leximit të Kuranit Famëlartë pas muajit të bekuar të Ramazanit, madje deri sa të na marrë Allahu i Madhëruar shpirtin me caktimin e Tij.
Pra, t’i shtojmë adhurimet dhe lutjet në këto ditë të mbetura dhe le të vazhdojmë me to edhe pas muajit të bekuar të Ramazanit.
Lusim Allahun e Madhëruar, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të na mundësojë neve, fëmijëve tanë dhe mbarë besimtarëve muslimanë ta adhurojmë Allahun e Madhëruar deri në vdekje.
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun
