Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Çfarë duhet të bëjnë bashkëshortët kur lindin konflikte mes tyre
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, pasi përfunduam me temat kryesore të kapitullit të martesës dhe të gjidhënies, sot dhe në vazhdim do të flasim për disa tema kryesore që kanë të bëjnë me shkurorëzimin. Tema të cilën do ta trajtojmë sot titullohet: Çfarë duhet të bëjnë bashkëshortët kur lindin konflikte mes tyre.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, duhet ta dimë se kontrata e martesës është prej kontratave më të mëdha dhe më të rrezikshme, ndoshta është kontrata më e rëndësishme që lidhet mes dy palëve. Ajo është e vetmja kontratë që Allahu i Madhëruar e ka quajtur “besëlidhje e fortë”.
Kur ndodh një mosmarrëveshje mes bashkëshortëve, atëherë zgjidhja duhet të jetë ashtu siç ka urdhëruar Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Tij, e jo sipas epshit apo asaj që e nxit shejtani, sepse dëshira më e madhe e shejtanit është që të ndodhë divorci.
Në rast mosmarrëveshjeve mes burrit dhe gruas, Allahu i Madhëruar na urdhëron ti trajtojmë ato në katër faza:
Faza e parë: këshillimi dhe porosia me butësi dhe urtësi. Burri duhet ta dëgjojë ankesën e gruas së tij, nëse ajo ka të drejtë, ai duhet ta përmbushë atë, si p.sh. nëse ajo ankohet për koprracinë e tij, neglizhencën, ashpërsinë dhe vrazhdësinë, ose se e privon nga blerja e gjërave që i nevojiten, ose nga vizita tek të afërmit e saj nëse janë njerëz të mirë. Atëherë ai duhet t’i përmbushë këto pa neglizhencë.
Por nëse ankesa e saj është e padrejtë, si p.sh. t’i shpenzojë asaj përtej mundësive të tij, atëherë ai duhet t’ia sqarojë pamundësinë e tij për këtë dhe se ajo nuk ka të drejtë fetare në atë që kërkon. Nëse ajo vazhdon në kryeneçësinë dhe mosbindjen e saj, atëherë ai duhet ta këshillojë me butësi dhe urtësi, t’ia kujtojë detyrimet ndaj tij dhe ta frikësojë nga dënimi dhe zemërimi i Allahut Të Madhëruar.
Këshillimi duhet të jetë me butësi dhe sjellje të mirë dhe jo me britma, kërcënime dhe të ngjashme. Poashtu këshillimi nuk bëhet brenda një apo dy ditësh, por në periudha kohore, duke u shoqëruar me tolerancë, bujari dhe mirësi.
Burri nuk ka të drejtë të kalojë në fazat e tjera derisa ta ketë bërë këtë në mënyrën më të plotë. Nëse ajo përgjigjet pas kësaj mirë, përndryshe ai kalon në fazën e dytë.
Faza e dytë: është largimi prej saj në shtrat, për t’i treguar pakënaqësinë e tij ndaj mangësisë së saj në të drejtën e tij, por pa sharje dhe pa fjalë të ndyra.
Ky largim nuk duhet të vërehet nga familjarët ose fëmijët, dhe ai nuk duhet të ndërpresë bisedën me të gjatë pjesës tjetër të ditës.
Nëse gruaja përmirësohet pas këtij largimi mirë, përndryshe burri kalon në fazën e tretë.
Faza e tretë: që është ta godasë me një goditje jo të rëndë.
Kjo çështje keqpërdoret shumë nga kundërshtarët e islamit, poashtu shikohet si diçka jo shumë e qartë nga një grup i muslimanëve. Përgjigja më e mirë që e sqaron këtë çështje është praktika e Muhamedit alejhi selam i cili kur në jetën e tij nuk ka prekur grua ose fëmijë. Ne jemi të urdhëruar ta pasojmë sunetin e tij sepse ai e sqaron Kuranin Famëlartë, dhe sqarimi praktik i tij për këtë çështje edhe një herë është se ai nuk e ka prekur asnjë grua ose fëmijë me dorën e tij.
عَنْ عَائِشَةَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهَا قَالَتْ: مَا ضَرَبَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ شَيْئًا قَطُّ بِيَدِهِ، وَلَا امْرَأَةً وَلَا خَادِمًا.
Nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se ajo ka thënë: “I Dërguari i Allahut, Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), nuk goditi kurrë me dorën e tij asgjë; as grua dhe as shërbëtor.”
Këto faza i ka përmendur Allahu i Madhëruar në fjalën e Tij.
وَاللَّاتِي تَخَافُونَ نُشُوزَهُنَّ فَعِظُوهُنَّ وَاهْجُرُوهُنَّ فِي الْمَضَاجِعِ وَاضْرِبُوهُنَّ ۖ فَإِنْ أَطَعْنَكُمْ فَلَا تَبْغُوا عَلَيْهِنَّ سَبِيلًا ۗ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلِيًّا كَبِيرًا
„Sa për ato gra për të cilat ju shihni sjellje të dobët, në fillim i qortoni, (pastaj) mos pranoni të flini me to, (dhe më në fund) i rrihni ato (lehtë nëse kjo ndikon tek ato), por në qoftë se ato kthehen përsëri te bindja, atëherë mos kërkoni kundër tyre mjete (përçmuese e mërzitëse). Vërtet Allahu Është kurdoherë më i Larti, më i Madhi.“ (Kuran 4, 34)
Ndërsa faza e katërt është kërkimi i pajtimit përmes palëve. Kjo bëhet duke u mbledhur disa prej të afërmve të burrit, miqve apo fqinjëve të tij, dhe disa prej të afërmve të gruas, nga njerëz të urtë, me përvojë dhe të devotshëm, me kusht që qëllimi i mbledhjes së tyre të jetë pajtimi dhe harmonia.
Dy ose më shumë nga njerëzit e drejtë e shqyrtojnë problemin, dëgjojnë të dyja palët dhe gjykojnë me drejtësi, urtësi dhe saktësi, qoftë duke i pajtuar apo duke i ndarë.
Për çështjen e divorcit si zgjidhje do ta trajtojmë javën e ardhshme InshaAllah.
Lus Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta t‘ju jep lumturi, respekt, dashuri dhe mëshirë të gjithë të martuarve tonë, të gjithë muslimanëve dhe mbarë të martuarve anembanë botës. Amin
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun
