Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Dhe vendosi mes jush dashuri dhe mëshirë

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
05 pri 2026

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre.

Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Dhe vendosi mes jush dashuri dhe mëshirë.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, lumturia e kësaj bote dhe shpëtimi në botën tjetër, në pjesë të madhe, varen nga një martesë e suksesshme që siguron prehje dhe qetësi të burrit tek gruaja e tij dhe gruas tek burri i saj.

Që të kemi martesë të suksesshme, Allahu i Madhëruar na obligon që burri ta respektojë gruan e tij dhe t’ia ofrojë asaj më të mirat që i posedon, po ashtu e obligon edhe gruan t’ia ofrojë burrit të saj më të mirat që ajo i posedon.

Këtë më së miri na mëson Pejgamberi alejhi selam ku thotë:

خَيْرُكُمْ خَيْرُكُمْ لِأَهْلِهِ، وَأَنَا خَيْرُكُمْ لِأَهْلِي

“Më i miri prej jush është ai që është më i miri ndaj familjes së tij, dhe unë jam më i miri prej jush ndaj familjes sime.” (Transmeton Tirmidhiu)

Pra, nuk mundemi të arrijmë të bëhemi më të mirët tek Allahu i Madhëruar edhe sikur të vepronim shumë vepra të mira, nëse nuk ua japim grave tona më të mirën që kemi, dhe ato nuk munden të arrijnë të bëhen gratë më të mira te Allahu i Madhëruar pa mos na dhënë neve më të mirën që e posedojnë.

Mirëpo, jeta bashkëshortore i ka vështirësitë e saj, ajo nuk është një kopsht me lule ku mundemi të shohim vetëm ngjyra të bukura dhe të nuhasim aromë të këndshme.

Që të jemi të lumtur në këtë botë, të jetojmë në qetësi dhe prehje bashkëshortore, pas obligueshmërisë për sjellje të mirë të ndërsjellë mes burrit dhe gruas, në raste vështirësie Allahu i Madhëruar na obligon që t’i tejkalojmë vështirësitë me dashuri dhe mëshirë.

Allahu i Madhëruar thotë:

وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِّتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُم مَّوَدَّةً وَرَحْمَةً ۚ

„Dhe nga treguesit e Tij është se Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë) në mesin tuaj, që ju të mund të gjeni prehje tek ato, dhe Ai vendosi mes jush dashuri e mëshirë.“ (Kuran 30, 21)

Pra, kur gabon burri ndaj gruas, ajo duhet ta tejkalojë atë vështirësi për hir të dashurisë ndaj tij, po ashtu edhe anasjelltas. Mirëpo, nëse vështirësia është edhe më e madhe, duhet ta tejkalojmë atë me mëshirë. Pra, nëse gabon gruaja diçka, burri duhet t’ia kujtojë sakrificën e saj, atë dikush tjetër e mbarti nëntë muaj në bark, tjetër kush e lindi, e rriti, e pastroi, e mësoi të hajë, të pijë, të flasë dhe e bëri vajzë të rritur; dhe ajo, në vend që t’i kthejë diçka familjes së saj, i shkrin të gjitha resurset e saj te familja e burrit. Bile për këtë janë të kënaqur edhe nëna edhe babai i vajzës, po ashtu edhe më shumë i ndihmojnë familjes së re dhe janë të gëzuar kur ata janë të lumtur.

Pra, kur e kujton këtë sakrificë, padyshim që gabimi është më i vogël se sakrifica për atë e përmirëson gruaja gabimin, burri e mëshiron dhe vazhdon jeta bashkëshortore e lumtur. Njëjtë vepron edhe gruaja me gabimin e burrit të saj, pra kujton sakrificën e burrit të saj, burri e përmirëson gabimin, gruaja e mëshiron atë dhe vazhdon jeta e tyre bashkëshortore e lumtur, e qetë dhe në prehje te njëri-tjetri.

Lusim Allahun eMadhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, që t’u japë të gjitha çifteve tona, çifteve të besimtarëve muslimanë dhe të gjithë çifteve në mbarë botën, lumturi dhe prehje bashkëshortore. Amin

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
49270

Character Limit 400