Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Fenomeni i dhunës

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
27 shk 2026

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.

Vëllezër të dashur besimtar dhe motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Fenomeni i dhunës.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, fatkeqësisht jetojmë në një kohë ku dita ditës edhe më shumë përhapet dhuna, si ajo në familje, shkollë, rrugë, vende pune e në shumë vende tjera.

Fatkeqësisht pjesë e dhunës janë edhe besimtarët muslimanë, gjë e cila nuk duhet të jetë pjesë e karakterit të tyre dhuna, sepse feja islame është fe e paqes dhe ndalon çdo lloj dhune.

Me dhunë nënkuptojmë: çdo veprim që çon në dëmtimin e të tjerëve. Ky dëm mund të jetë fizik ose psikologjik; si tallja, përqeshja, përdorimi i fjalëve fyese, imponimi i mendimeve dhe sjelljeve të ndryshme me forcë, dhe të ngjashme me këto sjellje dhune.

Një nga llojet e dhunës që sot me të madhe përhapet, fatkeqësisht, është edhe dhuna në mes të rinjve, madje ajo është prezentë edhe në mes shqiptarëve këtu në perëndim. Ne jemi në mërgim, e rrugës këtu në vend të huaj është të jemi edhe më bashkë me njëri-tjetrin, edhe më krah për krah me njëri tjetrin, dhe jo të jemi kundër njëri tjetrit. Këto çështje duhet t’i respektojmë vetë dhe duhet t’ua mësojmë edhe fëmijëve tonë.

Fakti se islami ndalon çdo lloj dhune dhe se dhuna është ndër veprat më të liga, e dëshmojnë shumë ajete Kuranore dhe hadithe të Muhamedit alejhi selam.

Allahu i Madhëruar thotë:

وَقَاتِلُوا فِي سَبِيلِ اللَّهِ الَّذِينَ يُقَاتِلُونَكُمْ وَلَا تَعْتَدُوا ۚ إِنَّ اللَّهَ لَا يُحِبُّ الْمُعْتَدِينَ

“Dhe luftoni në rrugën e Allahut ata që ju luftojnë ju, por mos i kaloni kufijtë. Vërtet Allahu nuk i do ata që i kalojnë kufijtë.” (Kuran 2, 190)

Ajeti kuranor na tregon qartë se në Islam lufta lejohet vetëm si mbrojtje kundër atyre që sulmojnë, dhe jo si agresion. Besimtarët edhe në luftë ndalohen të kalojnë kufijtë, të bëjnë padrejtësi apo dhunë, sepse Allahu nuk i do ata që tejkalojnë masën. Pra, nëse në luftë ndalohet tejkalimi i kufijve të dhunës, paramendoni se sa ajo ndalohet kur jemi në paqe. Nga të këqijat e dhunës dhe padrejtësisë është edhe ajo se Allahu i Madhëruar nuk e fal as padrejtësinë as dhunën, sado qoftë e vogël të jetë, pa mos e falur atë personi që i ke bërë padrejtësi apo dhunë.

Që ta kuptojmë edhe më mirë çështjen e dhunës dhe të largohemi nga çdo formë e saj, na mjafton ta kujtojmë hadithin e Pejgamberit alejhi selam ku thotë:

قِيلَ لِلنَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: يَا رَسُولَ اللَّهِ، إِنَّ فُلَانَةَ تَقُومُ اللَّيْلَ وَتَصُومُ النَّهَارَ وَتَفْعَلُ، وَتَتَصَدَّقُ، وَتُؤْذِي جِيرَانَهَا بِلِسَانِهَا؟ فَقَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: لَا خَيْرَ فِيهَا، هِيَ مِنْ أَهْلِ النَّارِ. قَالُوا: وَفُلَانَةُ تُصَلِّي الْمَكْتُوبَةَ، وَتَتَصَدَّقُ بِأَثْوَارٍ، وَلَا تُؤْذِي أَحَدًا؟ فَقَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: هِيَ مِنْ أَهْلِ الْجَنَّةِ.

Iu tha Pejgamberit alejhi selam: “O i Dërguari i Allahut! Filania falet natën, agjëron ditën, bën (vepra të mira), jep sadaka, por i lëndon fqinjët me gjuhën e saj.” I Dërguari i Allahut alejhi selam tha: “Nuk ka mirësi në të; ajo është prej banorëve të Zjarrit.” Ata thanë: “Ndërsa filania tjetër fal namazet e obliguara, jep sadaka me gjëra të pakta dhe nuk i bën dëm askujt?” Pejgamberit alejhi selam tha: “Ajo është prej banorëve të Xhenetit.” (Transmeton Buhariu)

Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta të na mundësojë neve, fëmijëve tonë dhe mbarë besimtarëve muslimanë të ndalojmë çdo lloj dhune, qoftë ajo fizike apo psikologjike. Amin..

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
96239

Character Limit 400