Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Islami i nxit të rinjtë dhe të rejat për martesë
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.
Vëllezër të dashur besimtar dhe motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Islami i nxit të rinjtë dhe të rejat për martesë.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, Islami është fe që e mbron njeriun, moralin dhe familjen. Një nga gjërat më të rëndësishme që Islami e ka nxitur shumë është martesa, veçanërisht për të rinjtë dhe të rejat.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
قَالَ لَنَا النَّبِيُّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: يَا مَعْشَرَ الشَّبَابِ، مَنِ اسْتَطَاعَ مِنْكُمُ الْبَاءَةَ فَلْيَتَزَوَّجْ، وَمَنْ لَمْ يَسْتَطِعْ فَعَلَيْهِ بِالصَّوْمِ؛ فَإِنَّهُ لَهُ وِجَاءٌ.
“I Dërguari i Allahut alejhi selam na tha: ‘O të rinj! Kush prej jush ka mundësi për martesë, le të martohet; e kush nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse agjërimi është mburojë (mbajtëse e epshit) për të.” (Mutafekun Alejhi)
Martesa është traditë e Pejgamberit a.s. Kush nuk e praktikon sunetin e Pejgamberit a.s., nuk është nga ai, pra nuk e ka plotësuar një traditë të Pejgamberit a.s. për të cilën ai nxit shumë.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
وَأَتَزَوَّجُ النِّسَاءَ، فَمَنْ رَغِبَ عَنْ سُنَّتِي فَلَيْسَ مِنِّي.
“Dhe unë martohem me gra; kush largohet nga suneti im, ai nuk është prej meje.” (Mutafekun Alejhi)
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, nëse analizojmë sot gjendjen e muslimanëve, do të shohim se të rinjtë më shumë i japin rëndësi shkollës, punës dhe karrierës, duke menduar se martesa ka kohë.
Ky mendim i të rinjve nuk është mirë i menduar, sepse shkolla, puna dhe karriera nuk ta japin qetësinë dhe lumturinë që ta jep martesa dhe familja. Islami nuk na mëson që të mos u japim rëndësi shkollës, punës dhe karrierës, mirëpo na mëson që, përveç shkollës, punës dhe karrierës, ta kemi edhe martesën, pra t’i kemi të dyja bashkë.
Për këtë arsye i thërrasim dhe i nxisim të rinjtë dhe të rejat që, përveç shkollës, punës dhe karrierës, edhe të martohen, sepse kjo është mesatarja në të cilën na fton Islami dhe e cila është e vetmja rrugë e suksesit në këtë botë dhe në botën tjetër.
Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, që t’i forcojë të rinjtë dhe të rejat tona në rrugën e Allahut të Madhëruar, t’u japë sukses në shkollë, punë dhe karrierë, po ashtu t’i martojë të rinjtë dhe të rejat tona me martesa të suksesshme. Amin.
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun
