Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Të drejtat dhe detyrimet e burrit dhe gruas

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
10 pri 2026

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.

Vëllezër të dashur besimtar dhe motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Të drejtat dhe detyrimet e burrit dhe gruas.

Allahu i Madhëruar e ka bërë martesën një lidhje bese mes burrit dhe gruas për hir të Allahut të Madhëruar, të bazuar në dashuri, mëshirë dhe respekt të njërit ndaj tjetrit.

Martesa e ndërtuar mbi këto parime siguron lumturi, qetësi dhe rehati në këtë botë dhe ndihmë për shpëtim në botën tjetër.

Që të realizohen këto qëllime, Islami ka vendosur të drejta dhe detyrime të ndërsjella mes burrit dhe gruas, për të ruajtur balancën dhe harmoninë në familje. Këto të drejta dhe detyrime janë të drejta mes burrit dhe gruas fillimisht sepse Allahu i Madhëruar i ka vendosur dhe drejtësia e Tij është absolute, pastaj për arsye të dallimit mes burrit dhe gruas si krijesa të Allahut të Madhëruar, ku dallimi mes tyre është i dukshëm si në aspektin fizik ashtu edhe në atë psikik. Për këtë, Allahu i Madhëruar secilit ia ka dhënë të drejtat dhe detyrat në bazë të dallimeve të tyre fizike dhe psikike.

Detyrat dhe të drejtat e burrit dhe gruas shpesh dallojnë edhe nga vendi në vend, në bazë të traditave dhe kulturës së atij vendi. Mirëpo, ka edhe të drejta dhe detyra të përgjithshme që vlejnë për të gjitha vendet, kohërat dhe gjendjet, ndërsa ne do të trajtojmë disa nga to.

Detyrat dhe të drejtat janë tre lloje:

a. Detyra të përbashkëta;

b. Detyrat e gruas ndaj burrit (të drejtat e burrit);

c. Detyrat e burrit ndaj gruas (të drejtat e gruas);

Detyra të përbashkëta

1. Drejtësia si parim i përgjithshëm mes bashkëshortëve;

2. Sjellja e mirë dhe respekti reciprok;

Allahu i Madhëruar thotë:

وَعَاشِرُوهُنَّبِالْمَعْرُوفِ

Dhe jetoni me to në mënyrë të ndershme.” (Kuran 4, 19)

3. Edukimi i fëmijëve; Pra, edukimi dhe kujdesi për fëmijët është detyrë dhe përgjegjësi e përbashkët.

Detyrat e gruas (të drejtat e burrit)

1. Dëgjimi dhe respekti i burrit në të mirën dhe të drejtën;

2. Ruajtja e moralit dhe nderit;

3. Përmbushja e nevojave intime;

4. Përkujdesja për shtëpinë dhe fëmijët.

Pejgamberi ka thënë:

وَالْمَرْأَةُ رَاعِيَةٌ فِي بَيْتِ زَوْجِهَا وَمَسْؤُولَةٌ عَنْ رَعِيَّتِهَا

“Gruaja është përgjegjëse në shtëpinë e burrit të saj dhe do të japë llogari për detyrën e saj.” (Buhariu dhe Muslimi)

Detyrat e burrit (të drejtat e gruas)

1. Sigurimi i ushqimit, pijes, veshmbathjes dhe banimit;

2. Mbrojtja e gruas dhe e dinjitetit të saj;

Pejgamberi ka thënë:

كُلُّكُمْ رَاعٍ وَكُلُّكُمْ مَسْؤُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ

“Secili prej jush është bari dhe secili do të japë llogari për kopenë e vet.” (Buhariu dhe Muslimi)

Lusim Allahun e Madhëruar, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, që të rinjtë dhe të rejat tona, si dhe të gjithë muslimanët e pamartuar, t’i martojë, ndërsa të martuarve t’u japë lumturi në jetën e dunjasë dhe të ahiretit. Amin.

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
62694

Character Limit 400