Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Vatani duhet mbrojtur gjithmonë

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
11 sht 2026

BismiLahirrahmanirrahim.

Falënderimet, lavdërimet, adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut të Madhëruar, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë, Muhamed Mustafas a.s., familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Allahu na bëftë prej tyre. Amiin!

Vëllezër të dashur besimtarë dhe motra të nderuara, tema me të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time, pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoj edhe juve, ka të bëjë me temën: Vatani duhet mbrojtur gjithmonë.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, ne si shqiptarë, shpesh ka ndodhur të luftohemi nga perandoritë e mëdha e, në veçanti, nga fqinjët monstra, të etur gjithmonë për gjakun dhe tokat shqiptare. Sa herë që jemi luftuar, pas falënderimit të Allahut të Madhëruar, pastaj sakrificës së mbarë popullit shqiptar anembanë botës, ne kemi mbijetuar dhe fituar para çdo furtune.

Lufta e fundit e vitit 1998–1999 në Kosovën tonë heroike, deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008 dhe sot e kësaj dite, është fakt i rezistimit të suksesshëm të popullit tonë. Lufta e UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës) konsiderohet edhe lufta më e pastër për liri në vitet e fundit dhe këto sakrifica të çdonjërit, qofshin edhe shumë të vogla, duhet të vlerësohen nga çdo shqiptar dhe nuk guxojmë, në asnjë bazë fetare, fisnore, klanore, partiake e të ngjashme, të flasim edhe fjalën më të vogël që nënkupton uljen e vlerës së UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës).

Kjo ushtri e tërë popullit shqiptar ka pasur edhe udhëheqësit e saj politikë dhe në terren, të cilët i vlerësojmë pa masë për sakrificën e tyre. Mirëpo, vite me radhë, disa nga udhëheqësit e UÇK-së po përballen me një gjykim të padrejtë, të nxitur nga qarqe të ndryshme për ta njollosur luftën e pastër si loti të UÇK-së.

Ne, populli shqiptar, duhet të mbrojmë me çdo mundësi që na jepet pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe udhëheqësve të saj deri me përfundimin e luftës dhe çlirimin e Kosovës, se ajo e tillë ka qenë dhe çdo akuzë që i bëhet UÇK-së është jo e vërtetë, sepse së paku ajo ka luftuar në trojet e veta për ta larguar një armik barbar, i cili ia ka uzurpuar tokën e saj.

Mirëpo, aktivitetet politike të pasluftës janë komplet fazë tjetër e jetës edhe e udhëheqësve politikë të UÇK-së dhe, si e tillë, ne jemi kundër çdo neglizhence, padrejtësie, keqpërdorimi dhe dëmtimi të interesit të shtetit të Kosovës, njëkohësisht edhe marrjes së hakut nga çdokush që i’u ka hyrë të tjerëve në hak, qoftë individëve ose interesit shtetëror.

Ne duhet ta përkrahim çdo iniciativë që e ndihmon lirimin e udhëheqësve të UÇK-së, ku po ashtu e lusim të Madhin Allah që t’i lirojë ata nga burgu dhe të kthehen në familjet e tyre shëndoshë e mirë.

Ne, si njerëz, po ashtu si shqiptarë e, në veçanti, edhe si muslimanë, ne qëndrojmë kundër çdo lufte, padrejtësie e dhune, në veçanti asaj që ndodh në Palestinë, Jemen, Ukrainë dhe në mbarë botën.

Lusim Allahun e Madhëruar, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, t’i lirojë udhëheqësit e UÇK-së nga burgu, po ashtu edhe çdo njeri që mbahet padrejtësisht në burg. Amin.

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
86269

Character Limit 400